
Amos Oz është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të ditëve tona në Izrael, autor i 40 librave dhe i përkthyer në 45 gjuhë, përfshirë edhe në gjuhën shqipe.
Amos Oz ka lindur më 4 maj 1939 në Jeruzalem dhe është diplomuar në vitin 1965 në Universitetin Hebrew të Jeruzalemit për filozofi dhe letërsi hebreje. Më pas e nisi punën si mësues i filozofisë dhe letërsisë. Jetën e tij ia kushtoi letërsisë dhe gazetarisë.
Amos Oz ka shkruar mbi 40 libra, ku 14 janë romane, 5 tregime, dy libra për fëmijë dhe 12 libra me ese dhe artikuj të ndryshëm. Ai është i përkthyer në rreth 45 gjuhë, përfshirë edhe esperanto.
Oz është fitues i disa çmimeve letrare si Bialik Prize, Izrael prize, Ovid Prize, Goethe Prize, Prince of Asturias, Heinrich Heine Prize, si dhe Doktor Nderi në universitetet e Lodz, dhe Trinity College në Dublin. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Oz është një nga avokatët e zgjidhjes paqësore të konfliktit izraelito-palestinez.
Lexuesi shqiptar e njeh shumë mirë përmes veprave të tij të përkthyera në gjuhën shqipe: Jetë fshati, Majkëlli im, Rrëfim për dashurinë dhe errësirën, Të njohës një grua dhe “Jeta rimon me vdekjen”.

Rrëfim për dashurinë dhe errësirën është një libër tragjik, komik dhe pafundësisht transparent, një libër i shitur bujshëm dhe i lexuar me etje nga miliona lexues në të gjithë botën. Është autoportreti magjik i një shkrimtari që jeta e shtyu të ishte dëshmitar i lindjes së një atdheu që ende jeton përmes historisë së tij të turbullt.